Në kuadrin e projektit “Promovim i të Drejtave të Fëmijëve për arësim dhe zhvillimin holistik të tyre“, nga MEDPAK, në partneritet me “Save the Children”, në 3 dhjetor 2013 u botua broshura “Gjithëpërfshirja në këndvështrimin tonë” me punime të nxënësve të 14 shkollave të përfshira në projekt (ese, tregime, skica, vizatime), nga rajonet: Burrel, Durrës, Dibër, Elbasan, Gjirokstër, Korçë dhe Vlorë
Për mbledhje esesh, mesazhesh dhe vizatimesh nga nxënësit e shkollave 9 vjeçare: “Ali Metra”, “31 Korriku”, “Urani Rumbo”, “Muhamet Gjollesha”, “Agimi”, “Sevasti Qirjazi”, “Haki Stërmilli”, “Demir Gashi”, “Fadil Gurmani”, “ Vasil Belshi”, “Njazi Mastori”, “Qemal Mici”, “Avni Rustemi”, “Balil Pelari”, në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Ky projekt synon përshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe vështirësi në nxënie në shkollat e arsimit bazë, sigurimin e arsimimit cilësor për ta dhe reduktimin e diskriminimit dhe formave të tjera të dhunës ndaj këtyre fëmijëve. Për të realizuar të gjitha këto, puna është fokusuar në disa drejtime: në rritjen e nivelit të informimit dhe ndërgjegjësimit të aktorëve përgjegjës për zbatimin në praktikë të arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara, në rritjen e aftësive dhe kapaciteteve profesionale të punonjësve të arsimit, në fuqizimin dhe konsolidimin e ekipeve multidisiplinare në shkolla dhe drejtori arsimore, si dhe në krijimin e një klime mbështetëse e pranuese për fëmijët me aftësi të kufizuara brenda dhe jashtë shkollës. Në këtë kuadër, qeveritë e nxënësve të shkollave të përfshira në projekt kanë organizuar një sërë aktivitetesh me fokus rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të komunitetit shkollor për të kuptuar dhe pranuar “gjithëpërfshirjen në arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuara”. Në përfundim të këtyre aktiviteteve nxënësit e shkollave pjesëmarrëse kanë përcjellë mesazhet dhe qëndrimet e tyre, lidhur me gjithëpërfshirjen, përmes kësaj broshure.
Materialet u përpunuan dhe u përgatitën për botim nga Marina Ndrio dhe Zela Koka
Tiranë, Nëntor 2013
Mirënjohje:
- për të gjithë ata fëmijë me aftësi të kufizuara, në çdo skaj të Shqipërisë, që në një mënyrë apo në një tjetër, kanë shërbyer si burim frymëzimi për ne dhe që na kanë dhënë mundësi t’a shohim botën ndryshe.
- për të gjithë ju prindër që keni luftuar dhe vazhdoni të luftoni me sfidat e jetës, që fëmijët tuaj të rriten, edukohen dhe arsimohen si gjithë fëmijët e tjerë. Ne ju premtojmë se do të jemi së bashku në këtë udhëtim të gjatë drejt gjithëpërfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara në shoqëri.
- për të gjithë bashkëmoshatarët në të gjithë vendin, që mësojnë dhe edukohen në shkolla gjithëpërfshirëse, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër kontribuojnë që gjithëpërfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara të jetë një realitet.
Broshura: “Gjithëpërfshirja në këndvështrimin tim” [ pdf ]