Saturday , June 28 2025

SHOQËRIA CIVILE MARSHON PËR TË DREJTAT E FEMIJËVE NË SHQIPËRI

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës së Femijëve, mbi 200 përfaqësues dhe organizata të shoqërisë civile manifestuan nën moton: “Femijë të shëndetshëm, të mbrojtur dhe të arsimuar! Koha për të marrë përgjegjësi!

1 Qershor 2017 – Në Ditën e Femijëve, për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, organizatat dhe aktivistët për të drejtat e femijëve marshuan sot përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nën moton: VEPRO! Femijë të shëndetshëm, të arsimuar dhe të mbrojtur! Koha për të marrë përgjegjësi!

Më shumë se 200 aktivistë dhe mbi 30 organizata të shoqërisë civile mbajtën sot pankarta dedikuar problemeve kryesore që femijët kanë në Shqipëri. Gjatë marshimit, organizatat dhe aktivistët u ndalën përpara Presidencës, Kuvendit, Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë, ku në mënyrë simbolike dorëzuan pranë çdo institucioni një letër me kërkesat e shoqërisë civile për përmirësimin e gjendjes të të drejtave të femijëve.

1 Qershori festohet në Shqipëri si Dita e Fëmijëve . Ajo konsiderohet jo vetëm si një ditë feste, por edhe një ditë sensibilizimi për çështjet dhe problematikat e lidhura me fëmijët.

Pavarësisht premtimeve dhe punës së Qeverisë dhe Kuvendit, gjatë këtyre 4 viteve për çështjet e lidhura me fëmijët, mbetet ende shumë për të bërë. Mekanizmat e mbledhjes dhe raportimit të të dhënave për mbrojtjen e fëmijëve, të koordinimit dhe të bashkëpunimit ndërsektorial e ndërinstitucional, si dhe shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve kanë nevojë për përmirësim të mëtejshëm. Mungon planifikimi i duhur, buxhetimi dhe programet e ri-arsimit dhe riintegrimit në komunitet për shumë femijë dhe të rinj në nevojë dhe risk. Disa grupe të fëmijëve, siç janë ata të minoriteteve, fëmijët me aftësi të kufizuara, vajzat dhe fëmijët që jetojnë në zonat rurale, përballen me sfida të veçanta për të aksesuar shërbimet vendore.

Ne si prindër jemi ndërgjegjësuar dhe kemi kuptuar që: Një Qeveri kur punon dhe zbaton legjislacionin për të drejtat e fëmijëve  me aftësi të kufizuar ka punuar për gjithë shoqërinë e sotme dhe të ardhmen. Prandaj shoqëria civile ishte bashkë sot në 1 Qershor.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

MEDPAK
Tel: 4 2345 028
E-mail:  info@medpak
Website: www.medpak.org