Ky projekt u fokusua në rritjen e kapaciteteve të bordeve të 6 shkollave në bashkitë Peqin, Librazhd dhe Koplik ku MEDPAK jep shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre në Qendra Ditore.
Me gjithë punën e bërë nga stafet e këtyre Qendrave, prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, pothuajse nuk i afrohen shkollës sepse e ndjejnë veten jo të mirëpritur në to, kurse një pjesë relativisht jo e vogël nuk e njohin të drejtën për arsimim të fëmijëve të tyre. Bordet e shkollave ekzistojnë formalisht pothuaj në të gjashta shkollat dhe nuk i njohin detyrat e tyre, e nga mosnjohja e ligjit nuk i kryejnë ato. Përgjithësisht puna e vetme që bëjnë në ndonjë shkollë bordet e shkollave është mbledhja e fondeve për shkollën sidomos për mirëmbajtjen e saj dhe jo për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Pjesëmarrja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në qeveritë e nxënësve shihet si e pamundur dhe kjo për faktin që fëmijët me aftësi të kufizuara shihen si persona pa asnjë lloj aftësie.
Me këtë projekt synohet forcimi i kapaciteteve të institucioneve shkollore me qëllim ndërtimin e praktikave të qëndrueshme dhe rritjen e bashkëpunimit midis shkollës dhe komunitetit, në veçanti me komunitetin e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar me qëllim realizimin e një arsimimi cilësor, bazuar në ligjin NR 69/2012 për Arsimin Parauniversitar.
AKTIVITETET
- Informim i këshillave të prindërve, stafet e mësueseve, qeverisë së nxënësve dhe komuniteteve shkollore në lidhje me ligjin për Arsimin parauniversitar pjesën e organizimeve të institucioneve brenda shkollës si dhe kapitullin XI që flet për arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. (2 seanca 2 oreshe ne 6 shkolla)
- Trajnim i bordeve të shkollave, 2 ditë të plota në çdo njësi të qeverisjes vendore.
- Trajnim i prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara 2 ditë të plota në çdo njësi të qeverisjes vendore.
- Organizimi i prindërve në shoqatë.
- Organizimi i një aktiviteti në 6 shkolla në kuadrin e 3 dhjetorit Ditës Botërore për personat me aftësi të kufizuara.
- Organizimi i vizitave të prindërve dhe bordeve të shkollave në rajone ku zbatohet projekti, për shkëmbim eksperiencash të fituara gjatë zbatimit të këtij projekti
PËRFITUESIT
Grupet e synuara në këtë projekt do të jenë bordet e shkollave, këshillat e mësuesëve, qeveritë e nxënësve, njësitë e qeverisjes vendore dhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët të organizuar tashmë në shoqatën e tyre do të jenë partnerë me bordet e shkollave
Përfitues indirekt do të jenë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe Zyrat Arsimore përkatëse në këto rrethe sepse ato do te perfitojne nga puna e bërë me bordet e këtyre 6 shkollave për një arsim cilësor dhe komuniteti shkollor në tërësi.
PRITSHMËRITË
Gjatë zbatimit të këtij projekti pritet që në institucionet arsimore të zbatohet parimi i gjithëpërfshirjes së nxënësve, prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë rritur pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet që organizon shkolla duke e konsideruar veten partner me bordin e prindërve dhe këshillin e mësuesëve.Në fund të projektit në çdo rreth ka një organizim të prindërve në shoqatë. Komuniteti shkollor dhe më gjerë është ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e bordeve të shkollës dhe punojnë duke i mbështetur ata për një shkollë cilësore, miqësore dhe gjithëpërfshirëse.