Drejtuar: Znj. Lindita Nikolla
Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
Subjekti: Reagim publik mbi rastin e dhunës të ndodhur në shkollën “Luigj Gurakuqi”
Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE) dhe organizatat partnere që punojnë për mbrojtjen e të drejtatve të fëmijëve, duan të sjellin në vëmendjen e tuaj, si edhe të mbarë opinionit publik çështjen e arsimimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e specializuara dhe përjetimeve të tyre negative që ndikojnë në mirërritjen dhe kujdesin që shteti duhet të tregojë ndaj tyre.
Gjatë ditëve të fundit, mediat raportuan gjerësisht dhunën dhe keqtrajtimin e rëndë që mësuesit e shkollës“Luigj Gurakuqi” ushtrojnë ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe që ndjekin arsimin e detyrueshëm në këtë shkollë të specializuar në Tiranë, e cila presupozohet që mbi të gjitha duhet të mbrojë dhe respektojë të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri.
Pas analizës së ngjarjes, ne pritëm që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe DAR Tiranë, të shqyrtonin me vëmendjen e duhur dhe të analizonin arsyet se përse çdo vit kemi ngjarje të dhunës në shkollat e arsimit të specializuar dhe qendrat rezidenciale për fëmijë me aftësi të kufizuara (në Durrës dhe Shkodër para një viti dhe në Tiranë para më shumë se një jave një jave).
Në bindjen tonë, kjo ndodh sepse institucionet e arsimit të specializuar nuk e njohin dhe për këtë arsye nuk e zbatojnë Ligjin për Arsimin Parauniversitar, ndërkohë që mungon monitorimi efektiv i zbatimit të ligjit. Rastet e dhunës së konstatuar në këto institucione tregojnë që ligji, i përgatitur në konsultim me organiztat e shoqërisë civile përfshirë edhe aktet nënligjore, nuk po gjejnë aspak zbatim në praktikë.
Në ligjin 69/2012, thuhet se: “Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucionet arsimore të specializuara për ta është përgjithësisht e përkohshme. Përfshirja dhe integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në kopshtet dhe shkollat e zakonshme të arsimit bazë është parësore”. Megjithatë deri më sot asnjë metodologji nuk ështe hartuar nga institucionet përkatese se si do të bëhet ky transferim dhe si rrjedhojë nuk shihet asnjë lloj bashkëpunimi real midis shkollave speciale dhe atyre të zakonshme.