Nga FATMIR POPJA
-Të kuptuarit e Aftësisë së Kufizuar –
Shëndeti është një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës njerëzore, madje në mënyrë disi filozofike shpeshherë njerëzit i referohen konceptit të shëndetit si një qëllim në vetvete të “ekzistencës”. Por fatkeqësisht jo të gjithë njerëzit gëzojnë shëndet të plotë. Qysh kur je fëmijë të thuhet se sa i rëndësishëm është durimi dhe kur rritesh e kupton që kjo është shumë e vërtetë. Por ku je me aftësi të kufizuara, durimi kërkohet në një nivel krejt tjetër. Të sëmurëve i duhet të presin dhe durojnë për një kohë shumë të gjatë për të gjithë llojet e gjërave. Durimi i ndihmon emocionalisht personat me aftësi të kufizuar që të hedhin pas krahëve paaftësitë fizike. Aftësia e kufizuar është një fenomen kompleks ndërveprimi mes individëve me një gjendje shëndetësore. Të jesh me aftësi të kufizuar, fatkeqësisht ka impakt në jetëgjatësi. Prandaj njerëzit e thonë shpesh : shijoje çdo ditë sikur të ishte e fundit. Shumë nga ne përpiqen ta bëjnë këtë me jetën tonë, por shumë dështojnë. Ne e dimë sa e vështirë është jeta dhe prandaj duhet të mësojmë të përqafojmë gjërat e mira që ajo na ofron. Në fakt, kur e jeton jetën si dikush që je ndryshe, kupton se ka edhe momente shumë të bukura. Në jetë takohesh me njerëz të mrekullueshëm dhe ke mundësi shumë të veçanta. Kur je me aftësi të kufizuara, e di që kurrë nuk mund të jesh si të tjerët dhe prandaj duhet të mësohesh me këtë fakt.
Është absolutisht e vërtetë dhe shokuese që papritur ta gjesh veten në mes të personave me “Aftësi të Kufizuar” ose të kesh një të tillë në familje. Të gjithë jemi qënie me fizik joperfekt dhe kurrë nuk duhet të mendojmë se ne bëjmë përjashtim. Shumë njerëzve nuk i pëlqen të jenë ndryshe dhe të veçohen dhe kjo është e dëmshme por jeta e tillë është. Afërsisht 10 % e popullsisë së botës në ditët e sotme vuajnë nga ndonjë lloj paaftësie, ndërsa 25 % janë të lidhur direkt me një problem paaftësie në familjen e tyre. Aftësia e kufizuar mund të prekë këdo dhe është jashtëzakonisht e larmishme. Ajo nuk është vetëm një problem shëndetësor. Njerëzit me aftësi të kufizuar kanë të njëjtat nevoja shëndetësore si dhe personat jo me aftësi të kufizuara. Ata kanë nevojë për imunizim, depistim shëndetësor, si për shkak të varfërisë dhe për shkak të përjashtimit social.
Një ne 10 fëmijë në Shqipëri ka aftësi të kufizuar duke u përballur me të paktën një vështirësi të lartë në kryerjen e aktiviteteve të jetës së përditshme. Ndër fëmijët me aftësi të kufizuar rezulton se vështirësitë më të shumta hasen në fushat konjitivo-psiko-sociale, ku të paktën gjysma e fëmijëve hasin vështirësi të lartë me sjelljen ose emocionet, ndërsa të paktën një në katër fëmijë hasin vështirësi të lartë dhe në aspektin fizik. Fëmijët me aftësi të kufizuar aktualisht kanë mundësi të marrin mbështetjen e duhur nga mësuesi mbështetës, mjeku, psikologu, punonjësi social, logopedisti dhe terapisti. Ata sot përfitojnë nga arsimi gjithpërfshirës dhe aftësimi për një jetesë të pavarur në komunitet duke u përfshirë në shoqëri. Por ende jeta e tyre përballet me mjaft vështirësi serioze.
-Gjendja e “ Aftësisë së Kufizuar” në Qarkun e Elbasanit –
Pavarësisht se gjatë viteve të fundit në Qarkun e Elbasanit është bërë një punë e madhe për zbutjen e problemeve me të cilat përballen personat me “Aftësi të Kufizuar” situate mbetet ende problematike. Në mjaft prej bashkive të këtij Qarku i cili me ndarjen e re administrative përbëhet nga shtatë bashki rezulton se ka mungesa serioze shërbimesh për këtë kategori. Në bashkitë e Cërrikut, Belshit dhe në atë të Prrenjasit shërbimet për personat me “ Aftësi të Kufizuar” mungojnë plotësisht. Ndërsa në bashkinë e Peqinit shërbimi për këta persona është mbyllur këtë vit. Ndërsa në Bashkinë e Gramshit funksionon një qendër situata në Elbasan dhe Librazhd është shumë më ndryshe.
Në këto bashki ka qendra të specializuara që ofrojnë shërbime për personat me “Aftësi të Kufizuara”. Në bashkinë e Elbasan aktualisht ka një qendër shtetërore dhe disa të tjera private me shërbime të specializuara për personat me “Aftës të Kufizuar”. Në bashkinë e Librazhdit prej vitesh ushtron aktivitet të gjerë në këtë fushë MEDPAK me të cilën aktualisht bashkia ka një bashkëpunim të shkëlqyer. Ndërsa në bashkitë ku nuk ka shërbime të tilla prindërit janë të detyruar ti dërgojnë fëmijët me “Aftësi të Kufizuar” në qytetin e Elbasanit ose gjetkë.
Një problem tjetër serioz për ta është vështirësia që hasin për të përfituar rimbursimin e transportit që jua garanton ligji. Është koha që ky shqetësim të marrë fund njëherë e përgjithmonë pasi pushteti vendor ka përgjegjësinë për tu garantuar dhënien e shërbimeve të specializuara personave me “Aftësi të Kufizuar”.
– Nxitja e punësimit-
Nxitja e punësimit të personave me aftësi ndryshe në Elbasan gjatë dekadës së fundit është bërë kryesisht nëpërmjet programeve të Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Programit ALBVET. Falë këtyre programeve është arritur të punësohen një numër jo i vogël personash me “Aftësi të Kufizuar”në sektorik privat por edhe në atë shtetëror. Disa prej të punësuarve nëpërmjet këtyre programeve janë histori suksesi dhe modele të përsosura të nxitjes së personave me “Aftësi të Kufizuar” për tu punësuar edhe pse barrierat janë mjaft të forta. Në bashkinë e Elbasanit, në Qendrën Spitalore “Dr. Xhaferr Kongolli” dhe në disa biznese në Elbasan ka persona me”Aftësi të Kufizuar” të punësuar por numëri i tyre është i pa përfillshëm për potencialet dhe mundësitë që kanë institucionet shtetërore dhe biznesi në këtë bashki. Në fushën e punësimit të personave me “Aftësi të Kufizuar” konstatohet se problematikat kryesore janë mungesa e përshtatjes së arsyeshme, niveli i ulët i njohjes së punëdhënësve mbi aftësitë dhe kapacitetet që zotërojnë personat me “Aftësi të Kufizuar”, si dhe niveli i ulët i vetëbesimit i personave me “Aftësi të Kufizuar” dhe familjarëve të tyre për potencialet që ata kanë. Kurrë nuk mund ta dish me siguri se çfarë është i aftë të bëjë një njeri me “Aftësi të Kufizuara”.
Në Elbasan aktualisht rezulton një numër shumë i ulët të punësuarish me “Aftësi të Kufizuara”. Por në kushtet e stanjacionit në hapjen e vendeve të punës, shumëfishimi i financimeve publike, është jo vetëm emergjente, por edhe një sinjal që i jepet sipërmarrjeve private pasi ligji parashikon që të krijohen hapësira për punësimin e personave me “Aftësi të Kufizuara” që janë të shkolluar e të trajnuar dhe Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale duhet të penalizojë subjektet që nuk e respektojnë ligjin për punësimin e personave me aftësi ndryshe. Çdo biznes që ka të paktën 25 punonjës sipas këtij ligji duhet të punësojë edhe një person me “Aftësi të Kufizuar”. Modeli i Dritan Hoxhës, specialist në zyrën e Informimit për qytetarët në Bashkinë e Elbasanit nuk është i vetmi që tregon se sa mirë punojnë dhe shërbejnë personat me aftësi ndryshe në vendin e punës. Gjithkush e njeh në qytetin e Elbasanit Bukurie Malokun person me aftësi të kufizuar në shikim ( verbëri e plotë) që për një kohë të gjatë ka drejtuar emisione sociale në dy prej Radiove Lokale të Elbasanit. Si Dritani dhe Bukuria ka plotë persona me aftësi ndryshe që duan të punojnë por që u refuzohet puna edhe pse ata mund të bëjnë mrekulli që pak kush i beson. Gjithsesi në një të ardhme shpresohet që edhe për këtë kategori shteti, biznesi dhe shoqëria të tregojnë përgjegjshmëri maksimale në mënyrë që mbështetja për personat me “Aftësi të Kufizuar” të jetë sa më e madhe. Kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e Qershorit 2019 me patjetër duhet të përfshijnë në programet e tyre elektorale edhe çështjet e “Aftësisë së Kufizuar”, pasi kjo kategori meriton vëmendje dhe kujdes maksimal nga shoqëria dhe pushteti vendor.
-Pagesat për Personat me Aftësi të Kufizuar-
Masa e përfitimit financiar për secilin grup të personave me aftësi të kufizuar përcaktohet me VKM dhe në bazë të kritereve të Pagesës së Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Invalidëve të Punës. Kriteret mjekesore për vlerësimin e aftësisë së kufizuar përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Por ndërsa rruga drejt përfitimit të pagesës si person me “Aftësi të Kufizuar” është mjaft e komplikuar dhe mes vështirësish të panevojëshme po kaq e lodhshme për ta është edhe tërheqja e kësaj pagese që shpesh herë bëhen edhe disa muaj me vonesë nga disa bashki. Shkak i vonesave në shumicën e rasteve bëhen këshillat bashkiakë edhe pse ky këshill nuk ka kompetencën të heqë apo të shtojë në listën e pagesës persona me “Aftësi të Kufizuar”. Por pavarësisht se këshillat bashkiakë vazhdojnë të kenë të drejtën e miratimit të pagesës për këtë kategori, kjo procedurë duket si një hallkë e panevojshme dhe mesa duket ka ardhur koha të gjendet një zgjidhje më e mirë në këtë aspekt në të ardhmen pasi shqetësimet për çështjen e marrjes së pagësës së për caktuar me ligj për personat me “Aftësi të Kufizuar” kanë qenë të përherëshme.
Elbasani sipas të dhënave zyrtare numëron 311. 7 persona me aftësi të kufizuara për 10 mijë banorë dhe ka shifrën më të lartë në shkallë vendi e cila lidhet me një sërë faktorësh ndikues në shëndetin e banorëve të kësaj treve dhe fatkeqësisht kjo shifër ka një tendencë rritjeje nga viti në vit. Që ky target grup të mos e ndjejë më mbi shpinë barrën e rëndë të “Aftësisë së Kufizuar” nevojitet që politikat dhe programet e mbështetjes së personave me paaftësi duhet të bëjnë dallimin e personave me aftësi të kufizuara nga personat e paaftë për punë në mënyrë që të shkohet drejt ri integrimit profesional dhe punësimit të personave me aftësi të kufizuar në sektorë dhe profesione specifike, sipas përvojave evropiane dhe modeleve që ofrojnë vetë shoqatat përfaqësuese të personave me paaftësi. Mbështetja për Personat me “ Aftësi të Kufizuar “ aktualisht ka një karakter kryesisht shëndetësor dhe mbështetet në kriteret mjekësore dhe jo ato sociale. Në këto kushte është emergjent kalimi në modelin social-mjekësor, klasifikimin e funksioneve të Aftësisë së Kufizuar dhe shëndetit mbi bazen e Manualit Ndërkombëtar Evropian.